Kosova vazhdon të jetë nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka shënuar ndonjë rast me virusin korona.
Por, pavarësisht kësaj, paniku i qytetarëve nga kjo epidemi që ka arritur në shtetet fqinje, po vazhdon të jetë i pranishëm, madje edhe në përmasa shqetësuese.
Qysh nga mbrëmë, qytetarët po furnizohen me ushqime e produkte të tjera higjienike në super -markete.
Madje, sot është parë një dyndje e madhe e qytetarëve duke zbrazur raftet e marketeve, derisa interesimi më i madh është për miellin.
Përmes disa imazheve të dërguara në adresë të Indeksonline, një qytetar ka treguar se janë krijuar kolona nga makinat, nga radhët e gjata për tek një mulli në fshatin Prugoc.
E një tjetër lexues, i cili ka dalë për të blerë produkte në një nga super – marketet në Fushë Kosovë ka thënë se ai edhe ai me familjen janë të shqetësuar nga koronavirusi, prandaj kanë dalë të furnizohen me rezerva.
“Koronavirusi ka ardhur në Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoni, prandaj kemi dalë për t’u furnizuar me gjërat e nevojshme. Interesimi më i madh i qytetarëve duket se është gjëja esenciale, mielli. Gjithashtu edhe dezinfektuesi për duar, që nuk po lejohet të blihet më shumë se një për person”.
Sipas këtij qytetari një dezinfektues po shitet 1.59 euro.
Kujtojmë që sot në Shqipëri ka vdekur viktima e parë nga koronavirusi, një e moshuar mbi 70 vjeçare, e cila ishte nga qyteti i Durrësit.
Ndërsa, në Kosovë vazhdimisht po ndërmerren hapa për parandalimin e kësaj epidemie