Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami ka mbajtur një konferencë për media ku edhe ka njoftuar se nuk do të ketë ndërprerje të mësimit, pasi në Kosovë nuk ka vend për panik sa i përket koronavirusit.
Ministra Bajrami tha se nuk ka asnjë rast të konfirmuar dhe pas takimit që kanë zhvilluar me përfaqësues të Institutit Shëndetësor Publik të Kosovës, të ministrisë së Shëndetësisë dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit kanë marrë vendim që mësimi të vazhdohet në mënyrë të rregullt, raporton Indeksonline.
“U bëjmë thirrje që mësimi të zhvillohet në kushte normale, duke theksu nevojën më të lartë higjienike. Duhet të implementohen rekomandimet e Institutit Shëndetësor Publik, siç janë dezinfektimi shkollave dhe furnizimi me mjete higjienike. Komunat që nuk mund t’ia dalin financiarisht, mund të drejtohen tek ne si ministri”, tha ministrja Bajrami.
“Sa i përket koronavirusit del se nuk kemi rrezik dhe asnjë rast të konfirmuar. Ne si ministri e Arsimit kemi bërë një plan të veprimit për të gjitha drejtoritë se çfarë të bëjmë, kemi komunikuar edhe më herët dhe qëllimi i takimit ka qenë që të implementohen rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë. Tashmë dihet siç bëhet bartja dhe kemi bërë planet se si duhet bërë planet për të mos u bartur”, shtoi tutje ministrja.