Ministria e Shëndetësisë ka blerë katër mijë copë maska respiratore për personelin shëndetësor, çmimi i së cilës ka vlerën e 8.50 eurove për njësi.
Në përballjen me përhapjen e mundshme të epidemisë së koronavirusit (COVID-19), Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar në 96 mijë euro për pajisje medicinale me qëllim mbrojtjen e personelit shëndetësor nga COVID-19.
Për këtë tender publik të Ministrisë së Shëndetësisë është përdorur procedura e negociuar pa njoftim të kontratës. Kontratën e ka fituar kompania private “Made Kos”.
Kjo firmë ka obligim të furnizojë Ministrinë e Shëndetësisë me katër mijë njësi të maskave respiratore me valvulë, raporton Insajderi.
Çmimi të cilin do të paguajë Ministria për një njësi të këtij lloji të maskave është 8.50 euro. Maskat, sipas kontratës së publikuar në e-prokurimi, janë të prodhuara në Kinë.
Rreth 6 mijë njësi të pajisje të tjera, të blera nga Ministria, janë të përfshira po ashtu në marrëveshjen kontraktuale ndërmjet Ministrisë dhe kompanisë “Made Kos”.
Mjetet financiare për këtë tender janë ndarë nga Qeveria e Kosovës më 28 shkurt të këtij viti.
Qeveria i kishte ndarë 400 mijë eurove mjete financiare për furnizimin me mjete mbrojtëse për profesionistët shëndetësor dhe mjete të tjera të nevojshme për parapërgatitjen për situatën e mundshme emergjente me epideminë “Coronavirusi” Covid-19.
Ky vendim i Qeverisë ishte marrë pas kërkesës së Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia. /