Karburantet që shiten në pikat e ‘SHELL Kosova’ nuk janë karburante të nxjerrja nga pusetat dhe rafineritë e gjigantit holandez, ‘SHELL’. Nafta dhe benzina që shitet në pikat e ‘SHELL’ në Kosovë importohen nga rafineri të ndryshme, por jo nga ato markës së njohur botërore, gjoja sipas standardeve të ‘Royal Dutch Shell’.
Në rast se keni blerë naftë apo benzinë në pikat e ‘SHELL Kosova’ duke menduar se po blini karburante të brendit holandez të njohur në botë, ‘SHELL’, atëherë thjeshtë jeni mashtruar.
Gazeta Online “Reporteri.net”, nga të dhënat që ka siguruar nga Doganat e Kosovës, ka zbuluar se derivatet që importon në Kosovë kompania “AL-Petrol SHPK” e cila që nga vitit 2018 ka marrë të drejtën e përdorimit të brendit ‘SHELL’ në pikat e saj të shitjes në Kosovë, janë të prodhuesve të tjerë, e jo të gjigantit holandez ‘SHELL’.
Të dhënat zbulojnë se ‘AL-Petrol SHPK’, gjatë periudhës shtator-tetor 2019, vazhdimisht ka importuar në Kosovë, naftë nga rafineri të ndryshme nga Italia dhe Arabia Saudite, që destinacion të parë kanë pasur Shqipërinë, përmes Portit të Durrësit, e më pas janë bartur në Kosovë.
Në të njëjtën periudhë, Gazeta Online “Reporteri” ka zbuluar se ‘AL-Petrol SHPK” ka importuar në Kosovë edhe benzinë nga Greqia të prodhuesit ‘Hellenic Petroleum S.A.’, i shpërndarë nga ‘OKTA’, me qendër në Shkup.
Kompania kosovare ‘AL Petrol SHPK’, që prezanton “marrëveshjen me SHELL për licencë dhe brendim” të pikave të saj të shitjes në Kosovë, pretendon se derivatet që importon në Kosovë e që shiten në pompat e karburanteve ‘SHELL Kosova’ janë sipas standareve që përcakton gjiganti ‘SHELL’ me seli qendrore në Rotterdam të Holandës.
Argjent Gashi, Menaxher i furnizimit dhe shitjes me shumicë në ‘SHELL Kosova’ (AL-Petrol SHPK), të premten, në një takim disa orësh me ekipin e Reporterit, ka qenë kundërthënës disa herë në atë çka ka deklaruar.
Fillimisht, ai pohonte se karburantet e importuara nga Greqia, Italia dhe Arabia Saudite, të cilat Reporteri.net ka zbuluar se nuk janë të prodhuesit ‘SHELL’, importohet nga kompania e tyre për tu shpërndarë më pas tek kompanitë tjera kosovare që shesin derivate.
Më pas, ai gjatë bisedës, e incizuar nga ekipi i Reporterit, pranon se edhe në pikat e “SHELL Kosova” gjinden ato karburante.
Por thotë se nuk ka asgjë që nuk shkon, pasi sipas tij janë të standardëve që i përcakton “SHELL Global”.
“Ne marrim naftë të përpunuar, të gatshme, sipas standardeve të përcaktuara nga SHELL’i”, thotë ai.
“Ne nuk kemi rafineri”, thotë Gashi, duke e arsyetuar marrjen e derivateve që shiten në SHELL Kosova, nga rafineri të tjera.
Tutje, ai duke specifikuar prodhuesin grek ‘Hellenic Petroleoum’, pretendon se kompania nga e cila importon derivate ka marrëveshje me SHELL’in për të prodhuar derivate sipas standardëve që përcakton gjiganti holandez.
Ndërkohë që “SHELL” në gjithë boten përveç për pikat e saj të shitjes, njihet edhe si prodhues gjigant i derivateve të nxjerra nga pusetat dhe rafineritë që ‘Royal Dutch Shell’ ka në pronësi në vende të ndryshme të globit, në ‘SHELL Kosova’ pretendojnë se marrëveshja me ta nuk i obligon që të furnizohen nga rafineritë e kompanisë britaniko-holandeze të naftës dhe benzinës me seli në Holandë.
“Marrëveshja parasheh vetëm që me u furnizu me standarde sipas tyre. Me u apliku standardi i SHELL’it në karburante”, insistonte, Menaxheri i furnizimit dhe shitjes me shumicë në ‘SHELL Kosova’ Argjent Gashi, të premten.
Ndërkohë, Doganat e Kosovës, të dhënat nga të cilat Gazeta Online “Reporteri.net” i ka sigruar përmes burimeve, nuk e kanë parë të arsyeshme të sqarojnë për gazetën nëse përmes tyre në Kosovë po futen derivate të prodhuesve të tjerë botërorë, e që konsumatorëve u shiten nën logon e brendit të njohur global “SHELL”.
‘SHELL’ në Kosovë operon nga maji i vitit 2018. Derisa në fillim të të njëjti vit, kompania ‘AL-Petrol SHPK’ kishte njoftuar se ka arritur marrëveshje me gjigantin holandez për ta sjellë në Kosovë brendin e njohur në gjithë boten.
Brenda disa muajve, gjatë pjesë së dytë të 2018-es, me ‘SHELL’ u brenduan pothuajse të gjitha pikat e shitjes së karburanteve në pronësi të “AL-Petrol SHPK”, që sipas të dhënave në ARBK u themelua në qershor të vitit 2003, nga biznesmeni Latif Kryeziu.