Përhapja e koronavirusit anembanë bot3ës është mjaftë shqetësuese. Kësisoj sot u mor vendim që për shkaqe të rrezikut të ndërpriten edhe fluturimet nga Italia për në Kosovë.
Së fundi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pati edhe një thirrje publike për qytetarët e Kosovës.
Vitia tha se në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës dhe menaxhimit të situatës epidemiologjike me koronavirusin Covid-19, institucionet e Kosovës kanë ngritur në nivel të lartë gatishmërinë për t’u ballafaquar me raste eventuale të këtij virusi, pas shfaqjes së tij edhe në vendet përreth, transmeton Indeksonline.
Vitia gjithashtu ritheksoi se deri më sot nuk ka ka raste të konfirmuara me koronavirus dhe se 57 motra të testuara për Covid-19 ishin negative.
Shkrimi i plotë:
Thirrje publike për qytetarët e Republikës së Kosovës
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës dhe menaxhimit të situatës epidemiologjike me Koronavirusin Covid-19, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ngritur në nivel të lartë gatishmërinë për t’u ballafaquar me raste eventuale të këtij virusi, pas shfaqjes së tij, tashmë edhe në vendet përreth Kosovës.
Siç edhe është raportuar çdo ditë për rezultatet e secilit rast të dyshuar, të testuar në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë, deri sot nuk ka të konfirmuar asnjë rast të Koronavirusit.
57 mostra të testuara për Covid-19, të gjitha kanë rezultuar negative.
Pavarësisht kësaj, që nga shfaqja e rasteve të para në botë me Koronavirus, institucionet tona kanë hartuar dhe vënë në zbatim Planin e Gatishmërisë dhe të Reagimit për Coronavirus Covid-19, duke zbatuar masat si:
· Rritja e kontrollit dhe e hulumtimit epidemiologjik për raste të dyshimta në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” dhe në pikat e tjera kufitare;
· Përgatitja e infrastrukturës spitalore dhe resurseve profesionale për t’u ballafaqur me raste të dyshimta dhe të konfirmuara;
· Pajisja me mjete personale mbrojtëse e personelit shëndetësore dhe personelit tjetër mbështetës në pikat kufitare në institucionet shëndetësore;
· Zbatimi i udhëzimeve dhe protokolleve nga Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, lidhur me menaxhimin e rasteve të dyshuara apo të konfirmuara me Koronavirus; zbatimi i Protokollit të Detektimit të Koronavirusit me RT-PCR (ECDC), sikur edhe Udhëzuesit të përkohshëm të OBSh-së për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve gjatë kujdesit shëndetësor për rastet e dyshimta për infeksionin Covid-19;
· Trajnimin e personelit për zbatimin e masave mbrojtëse, komunikimin me kohë të rrezikut në popullatë dhe komunikimin transparent me publikun;
· Zbatimin e aktiviteteve të edukimit dhe promovimit shëndetësor përmes shpërndarjes së materialeve informuese dhe edukuese si dhe ligjëratave në komunitet me qëllim të ndryshimit të sjelljes, përkatësisht përmirësimin e njohurive të popullatës rreth praktikave që mbrojnë nga virusi.
Gjithashtu, kemi bërë koordinimin e të gjitha institucioneve mbështetëse për zbatimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Covid-19, përgatitjen e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse në IKSHPK; ngritjen e Qendrës operative të MSh-së për të monitoruar e koordinuar gjatë tërë tërë kohës zbatimin e aktiviteteve dhe monitorimin e situatës si dhe kemi ngritur Komitetin Drejtues për menaxhimin e situatës emergjente sa i përket Koronavirusit Covid-19.
Së fundi kemi marrë masat edhe për ngritjen e karantinave, të cilat, në rast nevoje, do të përdoren me qëllim të menaxhimit të rasteve të ekspozuara ndaj virusit, sipas nevojës.
Të gjitha këto masa të ndërmarra deri më tash kanë pasur një qëllim mbrojtjen e popullatës përmes parandalimit apo vonimit të shfaqjes dhe përhapjes së virusit në Kosovë, zvogëlimin e ngarkesës së infrastrukturës së kujdesit shëndetësor dhe përgatitjen sa më të mirë si të institucioneve, ashtu edhe të komunitetit, për t’u ballafaqur, pa frikë, me kurajo e profesionaliziëm me raste eventuale.
Masa të tjera shtesë që kanë për qëllim primar mbrojtjen e punonjësve shëndetësor dhe të shërbimeve të tjera dhe mbrojtjen e popullatës janë ndërmarë edhe sot sikur është ndalimi i fluturimeve ajrore të udhëtarëvë nga zonat e prekura si nga veriu i Italisë në Kosovë, për shkak të vlerësimit nga IKSHPK të rrezikut të lartë, dhe do të ndërmerren edhe në ditët në vijim.
Por, sikur kemi mësuar edhe nga përvoja e shteteve të tjera, të cilat po ballafaqohen këtyre ditëve me këtë virus, përmasat e një epidemie si kjo e Coronavirusit nuk mund të parashikohen asnjëherë me saktësi dhe kjo na kërkon të jemi sa më të përgatitur.
Në këtë përpjekje të përbashkët, nuk ka vend për panikë, por gjithsesi ka vend për më shumë kujdes.
Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera që po punojmë së bashku në zbatimin e Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Coronavirusit Covid-10, e konsideron pjesmërrajen e juaj të dashur qytetarë në këtë angazhim po aq të rëndësishëm dhe të nevojshëm sa edhe angazhimin e vetë institucioneve.
Ne themi se jemi të përgatitur të përballemi me Coronavirusin, por na duhet edhe ndihma juaj gjithashtu.
Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë aktive e këtij angazhimi të rëndësishëm kundër COVID-19 dhe:
· Nëse vini nga vendet e prekura me Coronavirus ose keni pasur kontakte me personat e dyshuar ose të prekur me COVID-19 dhe keni simptoma si ethe, temperaturë apo kollë, ju lusim të qëndroni në shtëpi dhe të shmangni kontaktet! Lajmroni menjëherë Institucionet shëndetësore.
Personat që kanë ardhur nga vendet me Koronavirus, por që nuk kanë shenja, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre!
Disa nga këshillat e profesionistëvë shëndetësor janë të thjshta për t’u zbatuar, por ato shpëtojnë jetë:
· Lani mirë sa më shpesh duart për minimum 20 sekonda!
· Mos i prekni me duar sytë, gojën dhe hundën!
· Mbulojeni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollitjes dhe teshtitjes!
· Faculetat e përdorura hudhni në shportën më të afërt të mbeturinave!
· Shmangni qëndrimet në ambiente të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
Shmangni kontaktin e afërt me persona të prekur nga infeksionet respiratore akute!
· Mos merrni antibiotikë, përveç kur ato ua përshkrun mjeku!
· Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
· Pastroni sipërfaqet me dezinfektues me bazë klori ose alkooli!
· Përcillini simptomat e juaja dhe thireni mjekun tuaj para vizitës në kujdesin shëndetësor;
· Menaxhoni mirë mbeturinat;
· Pastroni ambientin e punës dhe të shtëpisë me dezinfektues me bazë klori apo alkooli!
Duke e kuptuar seriozitetin e situatës, ju bëj thirrje që, pa frikë, por me kujdes të shtuar, të jemi maksimalisht të kujdesshëm dhe të ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit!