Një paciente nga Vushtrria është ankuar tek Gazeta Sinjali, se gjinekologu në Spitalin e Vushtrrisë, Blerim Feka, kishte reaguar me nervozizëm të madh dhe e kishte kontrolluar në shpejtësi të madhe, teksa ajo po ndiente dhimbje në stomak. I kontaktuar nga Gazeta Sinjali gjinekologu mohon akuzat e pacientes teksa thotë se askush nuk mund t’ia përcaktojë nervozizëm.
Gjithçka kishte ndodhur në orët e mbrëmjes së njërës së premte të muajit shkurt të këtij viti. Pas pritjes së mjekut për më shumë se 20 minuta, pacientja u përball me fjalë fyese nga mjeku gjinekolog, Blerim Feka.
Pacientja dhe nëna e saj për Gazetën Sinjali, tregojnë për sjelljen arrogante të gjinekologut, Blerim Feka, në Spitalin e Vushtrrisë. Nëna e pacientes pretendon se mjeku kishte pasur sjellje arrogante ndaj saj dhe vajzës së saj.
Ajo tregon se fillimisht kishte shkuar në emergjencë për shkak të dhimbjeve të mëdha në stomak, por që me udhëzimin e tyre kishte shkuar në Gjinekologjisë. Aty pretendohet se pacientja dhe nëna hasën në sjellje të ashpra të mjekut.
“Ja nisi brimë e brimë, veç sa nuk na rrehi mu e çikën, dyjave”, fillon rrëfimin nëna e pacientes për kontrollën mjekësore, sipas saj arrogant e të shpejtë të mjekut në fjalë.
“Në ora 4 të pasdite çika nuk ishte mirë, pati dhimbje shumë të mëdha në bark, e kemi dërguar te mjeku i përgjithshëm, ai e kontrolloi edhe e dërgoj për në emergjencë, e kontrolluan edhe aty dhe dyshuan që ka cista në bark, pastaj më orientuan për në gjinekologji”, u shpreh nëna e pacientes duke kërkuar që mos bëhet publike identiteti i saj.
E gjithë ankesa e saj vjen, pasi kishte shkuar tek gjinekologu, për të cilin fillimisht e kishte pritur për më shumë se gjysmë ore. Ajo pretendon se mjeku menjëherë kishte filluar të bërtas.
“Kur erdh mjeku, si u hi brenda veç kur ja ka nis me bërtit ‘qa je ardh këtu’ edhe iu përgjigja ‘mu këqyr’, më tha ‘a e din ti që tash je në spital ku lindin gratë’, i thash ‘po unë e di, por emergjenca na çoj’”, pretendon nëna e pacientës për Gazetën Sinjali.
Mirëpo, mjeku në fjalë, në një prononcim për Gazetën Sinjali, mohon të jetë sjellë ashpër me pacienten.
“Nuk është e vërtetë, bash unë nuk sillna qashtu. E kam kontrolluar shkurt, aty nuk ka pas cista edhe u kry”, është shprehur mjeku në një bisedë telefonike për Gazetën Sinjali.
Gjinekologu, madje pretendon se nuk ka qenë detyra e tij fare që ta kontrollojë pacienten në fjalë.
“Nuk është rast ambulantorik, megjithatë e kam këqyr s’ka pas cista. Thash hajt ta këqyri se është fëmijë”, thotë ai.
Mirëpo, sipas gjinekologut, kontrolla duhej të bëhej paradite, edhe pse dhimbjet kishin filluar pasdite. Sipas tij, vendi ishte në repartin e lindjes dhe nuk duhej askush të kontrollohej në atë kohë.
Nëna e pacientes për Gazetën Sinjali ka folur për rastin ku nuk ishte trajtuar sipas saj, siç duhet nga gjinekologu në fjalë.
“Më tha ‘pse je ardh tash e nuk je ardh paradite’ edhe i tregova që çika paradite nuk ka qenë e sëmurë, dhe ka qenë në shkollë. Ai vazhdonte me thonë se ‘pse nuk je ardh paradite dhe se ky është spital i lindjes’ edhe unë insistova i tregova që emergjenca më dërgoj për me ardh këtu. Ai u kthy e më tha ‘e me të thanë me çu në Gjermani çiken a e çon’”, u shpreh nëna e pacientes.
Megjithatë, mjeku gjinekolog thotë se shërbimet ambulantorike nuk kryhen në reparte.
“Rastet ambulantore nuk kontrollohen në repartet. Duhet në mëngjes t’i nënshtrohet sikur çdo shtetase tjetër e Kosovës që pret në rend. Ato që po pritkan aty e po i përcjellkan rregullat qenkan budallica, qenkan të shkreta, të ngrata. Vinë nga ora 7 të mëngjesit me marr një numër dhe presin”, thotë gjinekologu, Feka.
Spitali i Vushtrrisë, “Sheikh Zayed”, ka thënë se për rastin në fjalë nuk ka pasur asnjë ankesë.
“Drejtoria e spitalit apo Komisioni për ankesa nuk ka pas ndonjë ankesë konkrete në këto kohë ndaj dr. B.F, gjinekolog në spital”, thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim.
Nëna e pacientes pretendon se sjellja nga gjinekologu ishte aq e ashpër saqë, për një çast thotë se mendoi që nervozizmi do të kalojë në dhunë.
‘Ja nisi brimë e brimë desh na rrehi mu e çikën, dyjave’, ndërsa ajo motra veç rrike e këqyrke, nuk guxojke as me fol, mjeku i bërtiti çikës i tha ‘shtriju aty’ edhe veç një herë ja ka vendos në bark edhe i tha ‘çu se sen s’ka hiq’”, tregon nëna e pacientes që ishte prezentë gjatë kontrollit.
Derisa, mjeku nuk pranon të ketë qenë i nervozuar gjatë kontrollimit të vajzës.
“Kurrkush nuk mundet të ma përcaktojë mua nervozen, nuk është e vërtetë”, thotë Feka, kur është pyetur nga Gazeta Sinjali për reagimet e tij.
Nëna e pacientes thotë se vajza e saj u detyrua të bënte përsëri një ultrazë, pas dy ditëve dhe si rezultat doli që vajza e saj ishte e ftohur.
“Ka qenë e premte kur e kom çu çiken te mjeku, tani emergjenca më thanë me e çu prapë të hënën-, për një ultrazë në bark, por çika ka pas dhimbje e u dashtë prapë të shtunën me çu në emergjencë. Pastaj të hënën ja kom bë ultrazërin e barkut, në katin e parë në spital, edhe i doli diçka në bark 12 milimetra e gjatë, por që mjeku tha se vajza është e ftohur”, tregon nëna e pacientes./