Që nga fillimi i vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 343 raste të personave të zhdukur. Prej tyre, 248 raste janë raportuar gjatë vitit 2018, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 95 raste.
Megjithatë, në Policinë e Kosovës nuk kanë treguar se sa prej këtyre rasteve janë zgjidhur, e as për natyrën dhe lidhjen eventuale të këtyre rasteve, me raste të tjera, si: migrimi ilegal pa informuar familjen, martesa apo bashkëjetesë pa informim të familjes, trafikim me qenie njerëzore, apo të tjera.
Sipas disa të dhënave të prezantuara nga Policia e Kosovës, në janar të këtij viti, rastet e trafikimit me qenie gjatë vitit 2018 kanë shënuar rënie në krahasim me vitin paraprak. Gjatë vitit 2018 numri i viktimave të trafikimit ka qenë 15, prej tyre 12 me shtetësi të Kosovës. Kurse një vit më herët, më 2017, numri i viktimave ka qenë dyfish më i lartë, 32, prej tyre 25 me shtetësi të Kosovës.
Disa raste që, fillimisht, në Polici raportohen si persona të zhdukur, më pas përfundojnë në raste të trafikimit, ku kryesisht viktimat janë gra dhe vajza.
Zyrtarja e lartë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në Qeverinë e Kosovës, Adile Shaqiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha 17 viktimat e trajtuara në strehimoren shtetërore, gjatë vitit të kaluar janë të gjinisë femërore, pjesa më e madhe e tyre të moshës së mitur.
“Gjatë vitit të kaluar janë strehuar gjithsej 17 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, ku njëra nga viktimat ka qenë e shoqëruar me fëmijë… Ky numër, në aspektin gjinor konsiston se të gjitha viktimat e strehuara ishin të gjinisë femërore. Tri (3) prej tyre të moshës madhore, 14 të moshës së mitur. Ndërsa në aspektin e shtetësisë, 12 ishin vendore, ndërsa 5 ndërkombëtare. Po flasim për statistikat e vitit 2018. Të gjitha këto raste, pas trajtimit emergjent që u është bërë brenda strehimores shtetërore, kanë kaluar në qendrën re-integruese, organizatë joqeveritare, partnere e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ofron shërbime rehabilituese dhe re-integruese për këtë kategori në nevojë”, tha ajo