Dy persona janë arrestuar sot në fshatin Batushë të komunës së Gjakovës, pasi pas një operacioni policor janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri si dhe municion, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar, Lumni Graishta, Drejtor Rajonal në Policinë e Gjakovës.
Graishta tha se bëhet fjalë për një operacion të përbashkët mes Njësive të Stacionit Policor të Gjakovës, Njësiti për Mbështetje dhe ai i Antidrogës.
“Gjatë operacionit janë konfiskuar dy armë të gjata. Një pushkë automatike, një pushkë gjysmëautomatike dhe një sasi municioni”, tha Graishta për Gazetën Sinjali.
Rasti është inicuar si ‘Mbajtje në pronësi, kontroll i papautorizuar i armëve”, dhe në konsultim me prokurorin të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Lidhur me rastin nuk ka ndonjë person në kërkim, shtoi Graishta.
Gazeta Sinjali ka siguruar fotografinë e armëve që u konfiskuan sot.