Eshref Haxhiu, konsulli që u shkarkua dje nga ministri i MPJ-së, Glauk Konjufca, ka reaguar sot duke thënë se nuk është emëruar kundërligjshëm në këtë pozitë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se nuk është emëruar kundërligjshëm në këtë pozitë.
“Pra, vendimi i Ministrit, z. Konjufca, pretendon se unë jam pranuar në shërbim të jashtëm pa konkurs dhe në kundërshtim me këtë ligj. Kjo nuk është e vërtetë. Ministria e Punëve të Jashtme e ka hapur konkursin e saj publik për pranimin e 15-të diplomateve të rinjë me datë 12.03.2019. Për këtë shih doc. nr. 03. Unë i jam nënshtruar atij konkursi ku, pas fazës së parë të seleksionimit të bazuar në dokumentacion, ka pasur edhe tri faza të tjera të testimit dhe vlerëzimit. Këto vlerësime janë organizuar dhe realizuar nga organet kompetente të shtetit të Kosovës. Për shembull, faza e dytë e testimit me shkrim është organizuar dhe monitoruar nga autoritetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në qendrën e tyre kryesore në Prishtinë, në Maj të vitit 2019”, ka shkruar Haxhiu
Tutje, ai i ka numëruar një sërë shkeljesh që sipas tij, ka bërë Konjufca duke publikuar emrat dhe vendndodhjet e konsujve të shkarkuar.
“Nuk është parimore, as etike, as profesionale, mbase as edhe ligjore, që diplomatët të kumtojnë në kanale publike kontestet e caktuara ligjore e politike. Mirëpo, përkundër kësaj, i pari i diplomacisë sonë, z. Glauk Konjufca, dje, të enjten, krijoi një precedent të tillë, duke publikuar të dhënat e 14-të konsujve të shkarkuar nga ana e tij, përfshirë këtu edhe identitetin dhe vendodhjen time. Ai këtë e bëri fillimisht në llogarinë e tij personale në Facebook, që më pas u përhap edhe në media. Nuk e di nëse Ministri është i vetëdijshëm se me këtë veprim ai ka bërë shkelje të Ligjit Nr. 06/L-082 të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe shkelje të Rregullores BE 2016/679 të Parlamentit Evropian për mbrojtjen e të dhënave të përgjithshme”, ka shtuar me tej ai.
Eshref Haxhiu ishte konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Doha-Katar, i cili u shkarkua dje së bashku me 13 konsuj të tjerë nga ministri i MPJ-së, Glauk Konjufca.