Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se kanë dyshime që të katër anëtarët e familjes janë vrarë në orët e hershme të mëngjesit, derisa zyrtarja policore ka bërë vetëvrasje gjatë pjesës së parë të ditës.
Tutje ai ka thënë se kanë dëshmi se ka qenë në shoqëri të familjarëve të saj në një nga lokalet në Gjilan dhe pastaj është kthyer në shtëpi e shoqëruar nga disa familjarë.
“Atë që mund të them lirisht është se dyshimet tona janë që të katër anëtarët e familjes dyshohet që janë vrarë në orët e hershme të mëngjesit, derisa zyrtarja policore ka bërë vetëvrasje gjatë pjesës së parë të ditës”.
“Kemi dëshmi se ka qenë në shoqëri të familjarëve të saj në një nga lokalet në Gjilan dhe pastaj është kthyer në shtëpi e shoqëruar nga disa familjarë – tezja dhe djali i tezes. Për një moment është larguar nga familjarët, është futur brenda në shtëpi dhe familjarët kanë dëgjuar dy shkrepje të armëve”.
Qalaj në Klan Kosova ka folur për pistat e mundshme që tregojnë se si ka ndodhur rasti tragjik , vrasja e katërfishtë dhe vetëvrasja.
“Drejtoria e Krimeve të Rënda është duke e hetuar rastin nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan. Mund të them që njëra nga të dyshuarat apo e dyshuara kryesore është zyrtarja policore, mirëpo duhet të presim të gjitha ekzaminimet që i bën Njësiti i Forenzikës në vendin e ngjarjes dhe hetimet nga Drejtoria e Krimeve të Rënda”.
“Është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, janë marrë të gjitha evidencat që duhet të merren. Duhet që elementet që janë marrë nga vendi i ngjarjes dhe rezultatet që dalin nga obduksioni i Mjekësisë Ligjore të na përputhen në mënyrë që të bëjmë një konstatim”.