Barcelona nuk heq dorë nga Lautaro, Abidal: Një nga pesë më të mirët

Barcelona ka vendosur sulmuesin e Interit Lautaro Martinez në krye të listës së dëshirave për merakton e verës së ardhshme dhe këtë e ka pranuar vetë drejtuesi i blaugranave Eric Abidal në një intervistë për mediat spanjolle.

Francezi deklaroi se Lautaron po e ndjekin prej kohësh dhe se po punojnë për të gjetur mënyrën për të transferuar në Katalunjë si sulmuesin argjentinas ashtu edhe brazilianin Neymar, që gjithashtu dëshiron rikthimin në “Camp Nou”.

“E ndjekim Lautaron dhe po bën mjaft mirë. Mund të them se për momentin është një nga 5-6 sulmuesit më të mirë në rolin e tij. Momentalisht nuk kam një buxhet konkret, ndaj thjesht më duhet të bëj parapërgatitjet dhe të bind lojtarët. Nëse ana financiare do të më konfirmojë se operacioni mund të bëhet, atëherë do të bëhet. Në të kundërt do të shohim për një tjetër alternativë. A mund të vijë bashkë me Neymar? Sigurisht që po, nëse bëhet planifikimi i duhur dhe për këtë po punojmë”, deklaroi Abidal.

Interi pagoi 25 milionë euro për të marrë Lautaron nga Racing në verën e 2018-ës, ndërsa klauzola e prishjes së kontratës mes argjentinasit dhe klubit zikaltër është 111 milionë euro aktualisht, shifër të cilën te Barcelona janë gati ta paguajnë.

Pikërisht për këtë arsye në Milano presin këto ditë vizitën e menaxherit të Lautaros, për të folur mbi rinovimin e kontratës, që nënkupton përmirësimin e kushteve financiare dhe heqjen fare ose rritjen e klauzolës./Supersport.al/