HEQJA E FOTOGRAFISË SË THAÇIT, OSMANI MOHON TË KETË SHKELUR LIGJIN

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka mohuar edhe një herë të ketë shkelur ligjin me rastin e zëvendësimit të fotografisë së presidentit Hashim Thaçi, pas marrjes së detyrës, duke thënë se gjithçka është bërë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën.

Ajo pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natylia Apostolova, ka folur për zëvendësimin e djeshëm të fotografisë së Thaçit me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, e cila zgjoi reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila akuzoi Osmanin për shkeljen e Ligjit për Protokollin e Shtetit.

“Në asnjë moment nuk është hequr, secili veprim ka qenë në përputhshmëri me ligjin dhe Kushtetutën. Në asnjë moment nuk ka pasur largim gjithnjë në respektim të ligjit. Interpretimet dashakeqe që unë dua t’i hakmerrem dikujt nuk janë të vërteta”.

“Nëse dikush dëshiron t’i qesë veprimet nga konteksti do të duhej që para se të bënin një gjë të tillë të ishin vetë shembuj të respektimit të ligjit”, ka thënë Osmani.