KËRKOHET INTERVISTIMI I KADRI VESELIT PËR ‘VRASJEN’ E ASTRIT DEHARIT

Kadri Veseli dje për herë të parë u rendit krah atyre që thonë se aktivisti i VV’së Astrit Dehari u vra në burg. Lideri i PDK që i besonte shtetit kur institucionet thoshin se Dehari kreu vetëvrasje, i ka thënë dje Kurtit se “do të flasim për vrasjen e Astrit Deharit”. Vetëvendosje dhe avokati i familjes Dehari kërkojnë që Prokuroria ta intervistojë Veselin, për informatat që mund të ketë në lidhje me vdekjen në burg të aktivistit të LVV’së.

Rasti i Astrit Deharit nuk mungoi as në seancën e Kuvendit ku u formua Qeveria, të cilën në 4 vjetët e ardhshme do ta drejtojë partia e aktivistit që vdiq në burgun e Prizrenit më 2016.

Derisa Vetëvendosje e akuzonte pushtetin e PDK’së për vrasje, tash Kadri Veseli i kërkon publikisht Albin Kurtit ta zbardhë rastin e aktivistit të vdekur. Veseli që u besonte institucioneve vendore kur thoshin se Dehari u vetëvra, që kur doli në opozitë, e quan atë “vrasje”.

Pushteti i atëhershëm i PDK’së u besonte konkluzioneve që nxirrnin institucionet e vendit, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje dhe familja Dehari konsideronin se Dehari u vra në burg, e nuk u vetëvra.

Zyrtari i lartë i LVV’së, Glauk Konjufca, dje në emisionin Pressing, tha se Veseli “paska filluar t’i besojë ekspertizës së kryer në Zvicër, e cila nuk i jep mundësi që rasti i Deharit të jetë vetëvrasje”. Sipas tij, prokurori është dashur ta intervistojë liderin e PDK’së, pasi dha shenja se di diçka.

“Është dashur që ta thërret një prokuror dhe t’i thotë keni dhënë shenja që po dini diçka për një rast që ne po e hetojmë”, është shprehur Konjufca.

Avokati i familjes Deharit, Tomë Gashi, ka thënë për Gazetën Express se Veseli i është ofruar Prokurorisë Speciale, duke lënë të kuptohet se ka informata rreth vdekjes së aktivistit të LVV’së.

“Kadri Veseli, si njëri prej personave më të informuar në Kosovë, me deklaratat publike i është ofruar Prokurorisë Speciale. Në Televizionin Klan Kosova, më datë 26.12.2019 ka deklaruar se Astrit Dehari është vrarë. Në deklarimet e tij në ditën e djeshme në Parlamentin e Kosovës, në seancën e zgjedhjes së Kryeministrit Albin Kurti, përsëri ka deklaruar se Astrit Dehari u vra. Ky faktikisht me këto deklarata i është vetofruar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të dëshmojë në lidhje me njohuritë e tij për vrasjen e Astrit Deharit”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se nuk e ka propozuar Veselin si dëshmitar, pasi që Prokuroria, sipas avokatit, ka material që ta ftojë liderin e PDK’së dhe t’i kërkojë sqarime rreth fjalës së tij publike.

“Për këtë arsye, unë si avokat i familjes së Astrit Deharit, deri më tani, nuk e kam propozuar si dëshmitar në rastin e vrasje së Astrit Deharit sepse deklaratat e tij janë publike, janë të dhëna në një emision dhe në Parlament, kështu që kam pritur dhe jam duke pritur qe Prokuroria të ftojë të japë sqarime dhe ta njoftojë Prokurorinë për informatat që i ka”, është shprehur Gashi.

Avokati, i pyetur nëse beson se ka diçka prapa asaj që deklaron Veseli, thotë se Prokurori i rastit duhet ta marrë në pyetje për informatat që mund t’i ketë.

“Meqenëse ai po deklarohet vetë publikisht, është detyrë e prokurorit që ta marrë në pyetje për njohuritë që ka”.

Zyra për Media e PDK’së dhe zyrtarë të partisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth cilësimit të vdekjes së Deharit si ‘vrasje’ nga lideri i tyre.

As Prokuroria Speciale gjatë ditës nuk është përgjigjur rreth deklaratave publike për rastin që është duke u hetuar.

Në Kuvend, Veseli i tha Albin Kurtit në seancën ku u zgjodh kryeministër se do të flasin për vrasjen e Astrit Deharit.

“Do të flasim edhe për vrasjen e Astrit Deharit, me emrin e të cilit keni abuzuar dhe akuzuar çdo kundërshtar politik, përfshirë këta që i keni në koalicion”, tha Veseli në Kuvend.

Astrit Dehari u gjet i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën akuzat se ishte përfshirë në një sulm terrorist bashkë me disa aktivistë të tjerë të LVV’së.

Ekspertizat e kryera nga mjekësia ligjore në Kosovë thoshin se ai ka kryer vetëvrasje. Familja e tij, e as partia që i takonte, nuk e pranoi këtë version, duke kërkuar që të kryhet ekspertiza jashtë.

Mjekësia ligjore e Lozanë në Zvicër doli me një raport të gjerë rreth vdekjes së Deharit. Ky raport konkludonte që ka pak gjasë që Dehari të ketë kryer vetëvrasje. Tash Prokuroria Speciale ka nisur hetime të reja rreth rastit