Virusi vdekjeprurës që po përhapet në të gjithë Azinë rrezikon të vijë edhe në Kosovë, në rast të kontaktit me personat që vijnë nga vendet e prekura. Deri tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur, por për të parandaluar përhapjen e tij, institucionet kosovare janë vënë në lëvizje. Në Aeroportin “Adem Jashari”, tashmë janë ekipet mjekësore që po e mbikëqyrin situatën në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë, derisa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka marrë vendim për ndalimin e importit të produkteve nga Kina, prej edhe nga e ka origjinën ky virus.
Klina Info
Institucionet kosovare janë vënë në lëvizje për të parandaluar përhapjen e virusit misterioz, i cili deri tani ka marrë jetën e 80 personave.
Hapi i parë ka qenë vendosja e ekipeve mjekësore për të mbikëqyrur situatën në rast të shfaqjes së personave të dyshimtë me sëmundje ngjitëse, derisa sot është marrë vendim për ndalimin e importit nga vendi i origjinës së këtij virusi.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës se Kosova nuk importon produkte ushqimore nga Kina, të cilat konsiderohen si lëndë përmes të cilave mund të bartet virusi.
Zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi, ka thënë se i vetmi import nga ky shtet ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve, por që për të iu shmangur rrezikut nga përhapja e virusit, është ndaluar edhe ky import.
“Ne si shtet nuk kemi importe nga shteti i Kinës, të produkteve ushqimore të cilat potencialisht konsiderohen si lëndë e përmes të cilës mund të bartet virusi, njëkohësisht nuk kemi importe të kafshëve të gjalla. I vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve. Të cilat i kemi ndaluar menjëherë për import. Kjo na ndihmon që ne ti shmangemi rrezikut direkt nga vendi i origjinës se virusit”, ka thënë Thaçi.
Në këtë institucion deklarojnë se ndaj secilit shtet që ndërmerren masat e ndalesës së tregtimit të produkteve ushqimore dhe kafshëve, menjëherë ndalesa do të vlej edhe për tregtim në Kosovë.
Thaçi thotë se AUV’i në vazhdimësi është duke monitoruar gjendjen prej fillimit të përhapjes së shpejtë të Koronavirusit, dhe se janë të gatshëm që në çdo kohë me të gjitha kapacitetet që kanë të vihen në dispozicion për të vepruar, për parandalimin e përhapjes se sëmundjes në vend.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka përvojë të mjaftueshme dhe jemi të përgatitur për veprim në rastet e shpërthimit të sëmundjeve. Kemi caktuar zyrtarin përgjegjës për hartimin e Planit të Veprimit dhe Kontigjencës për ” 2019-nCoV”. Inspektorati Sanitar është në gjendje gatishmërie për zbatimin e Ligjit për sëmundje ngjitëse”, thuhet në përgjigjet e Thaçit.
Ai ka treguar edhe për masat që do të ndërmerren për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Deklaron se të gjitha masat që merren nga vendet e Bashkimit Evropian në të njëjtën kohë do të aplikohen edhe në Kosovë.
“Kurdo jemi të gatshëm të ngrisim shtabin e krizës përmes të cilit vendosim masat mbrojtëse në kontroll dhe tregtim të ushqimeve dhe kontroll të tregtimit të kafshëve përmes ndalesave qe kërkohen të bëhen si masa të përgjithshme veterinare. Masat e para të cilat do të urdhërohen nga AUV janë ne përputhshmëri me masat përgjithshme veterinare dhe sanitare për parandalimin e përhapjes se sëmundjes”, ka thënë Thaçi.
Detaje rreth kësaj sëmundje ka dhënë specialisti i sëmundjeve infektive në Klinikën Infektive të QKUK-së, doktor Valbon Krasniqi.
Ai ka deklaruar se deri më tani në Klinikën Infektive të QKUK-së nuk është paraqitur as edhe një rast i dyshuar me koronavirus.
“Ne tani për tani në Klinikën Infektive nuk kemi as edhe një rast të dyshuar dhe nuk është paraqitur asnjë pacient me ndonjë simptomë të tillë. Ndërkaq sa u përket masave që duhet të ndërmerren, janë kompetentë zyrtarë të Institutit Kombëtar. Mirëpo tani për tani ne nuk kemi asnjë rast si të dyshuar me këtë virus”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi thotë se institucionet shtetërore duhet mobilizuar për ta parandaluar ardhjen e këtij virusi vdekjeprurës në Kosovë.
“Me aq sa ne kemi arritur të lexojmë e të shohim nga vendet në të cilat është paraqitur ne e kemi pa se virusi ka ende nevojë që të studiohet, si p.sh. sa mund të qëndrojë në ambiente të jashtme. Ka ende gjëra që duhet të studiohet më në hollësi virusi. Mirëpo ajo që duhet është që të ngrihet më shumë vigjilenca dhe vendet në të cilat është paraqitur virusi janë me rëndësi të shmangen”, apelon doktori.
Për rrezikun e këtij virusi ka folur edhe infektologu tjetër i QKUK-së, Sali Ahmeti.
“Ky është një virus i ri, i cili fatmirësisht ende nuk ka ardhë në Kosovë. I përket familjes së koronavirusit. Këto si familje janë të njoftuar edhe më herët, por ky është një tip i ri i cili u shfaq në Kinë”, ka sqaruar infektologu kosovar.
Ai ka treguar edhe për simptomat e para të prekjes nga virusi korona.
“Është një virus i cili fillon si një grip por ka predispozita me dhanë reaksione të shpejta të cilat mund të rrezikojnë jetën e personit të prekur. Fatbardhësisht tek ne ende nuk është shtrirë. Por mos të harrojmë se globalizimi ka krijuar gjasa të mëdha për përhapjen e shpejtë të virusit. Ne lusim që të mos vijë te ne”, ka thënë ai.
Sipas Ahmetit, çdo personi, i cili vjen në Kosovë nga vendet të cilat mund të jenë prekur me koronavirus, duhet t’i bëhen analizat e detajuara.
Për situatën është mobilizuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, thotë se Kosova është e rrezikuar njësoj si nga shtetet e tjera.
“Masat që duhet të ndërmerren fatmirësisht në këtë rast janë të ngjashme me masat që ndërmerren kundër gripit dhe gjitha sëmundjeve respiratore që përhapen me shpejtësi. Dhe në këtë kontekst edhe Kosova është e rrezikuar njësoj sikurse edhe shtetet e tjera. Për këtë arsye IKShP prej 31 dhjetorit tashmë është në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare të cilat përcjellin çdo rast”, është shprehur Ramadani.
IKSHP’ja rekomandon kujdes të shtuar nga të gjitha institucionet përkatëse për ndonjë rast të mundshëm të këtij virusi në vend.
Mbikëqyrja përfshin edhe angazhimin e një ekipi mjekësor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili ka detyrë të raportojë në rast se shfaqen persona të dyshimtë me sëmundje ngjitëse.
Disa nga masat e parandalimit përfshijnë shmangien e kontaktit të ngushtë me personat që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes, larja e shpeshtë e duarve, e veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
Ndërkohë rreth asaj se a është ndonjë shtetas i Kosovës në Kinë, institucionet kosovare thonë se janë duke mbledhur informata. /KlinaInfo