Në 24-vjetorin e vrasjes së ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Ismet Rraci, janë zhvilluar homazhe për të nderuar kujtimin e tij dhe për të kërkuar drejtësi për rastin që ende mbetet i pazbardhur.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë kryetari aktual Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendit Komunal Fadil Gashi, komandanti i policisë në Klinë Ragip Bytyqi, bashkëpunëtorë të afërt, familjarë dhe qytetarë.
Kryetari Elezaj theksoi se Klinës i mungon shumë figura e Ismet Rracit, të cilin e përshkroi si një mësimdhënës dhe udhëheqës të përkushtuar. “Ismet Rraci ishte shembull se si punohet për atdhe,” u shpreh ai, duke shtuar se trashëgimia e tij patriotike dhe profesionale do të jetojë gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Klinës.
Në fund të aktivitetit, u vendosën lule pranë bustit të të ndjerit, ndërsa u përsërit thirrja për institucionet kompetente që të zbardhin këtë vrasje që vazhdon të jetë enigmatike edhe pas 24 vjetësh.
Statusi i tij i plotë:
NË 24 VJETORIN E VRASJES PËRKUJTOHET ISMET RRACI
Në njëzetekatër vjetorin e vrasjes së ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Ismet Rracit, bashkë me kryesuesin e kuvendit, Fadil Gashi, komandantin e policisë në Klinë, Ragip Bytyqi, bashkëpunëtorë të komunës, familjarë të Ismetit dhe qytetarë kemi bërë homazhe dhe kemi vendosur buqeta me lule te busti i të ndjerit.
Ne gjithmonë do ta kujtojmë Ismetin si një mësimdhënës që për shumë vite edukoi e mësoi në frymë patriotike shumë breza, si kryetar të komunës i cili u angazhua për qytetarët e atdhetar që u sakrifikua në rrugën e lirisë e demokracisë.
Tash e njëzetekatër vjet mungesa e tij është e madhe për qytetin Klinës. Qytetarët e Klinës do të jenë përherë krenarë me veprat e tij, sepse ai la shembuj të mirë për ne se si duhet e punohet për atdhe.
Sot u bënë njëzetekatër vjet që familjarët, qytetarët e Klinës dhe të gjithë ne kërkojmë drejtësi për këtë vrasje enigmatike, prandaj i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse të punojnë në ndriçimin e këtij rasti.