NJOFTIM PËR QYTETARËT – POLICIA E KLINËS SHTON KONTROLLET NË VENDKALIMET HEKURUDHORE🚂
Pejë, 23 prill 2025
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë – Stacioni Policor Klinë, ka filluar sot, më 23 prill 2025 nga ora 08:30, një operacion të shtuar të mbikëqyrjes së vijës hekurudhore që kalon përmes zonës së përgjegjësisë së këtij stacioni.
Ky veprim është ndërmarrë pas dy aksidenteve me tren që ndodhën javën e kaluar në këtë zonë, me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të tragjedive të tilla.
Policia po verifikon në mënyrë aktive nëse drejtuesit e automjeteve ndalojnë në vendkalimet hekurudhore ku është e vendosur shenja “STOP”. Të gjithë kundërvajtësit që nuk i respektojnë rregullat në këto pika do të gjobiten pa asnjë kompromis.
Deri tani janë shqiptuar dhjetëra gjoba – e gjithë kjo me qëllimin që drejtuesit të vetëdijësohen për rrezikun dhe pasojat që sjellin mosrespektimi i sinjalistikës, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Apelojmë tek të gjithë qytetarët, në veçanti drejtuesit e automjeteve, të jenë të kujdesshëm në drejtimin e mjeteve, me theks të veçantë në vendkalimet hekurudhore.