Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, përkatësisht Stacioni Policor në Klinë, ka ndërmarrë sot një aksion për mbikëqyrjen e vijës hekurudhore që kalon përgjatë zonës së përgjegjësisë së tyre.
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit, duke filluar nga ora 08:30, dhe është përqendruar në kontrollimin e sjelljes së drejtuesve të automjeteve në kalimet hekurudhore, veçanërisht nëse ata ndalojnë në vendet ku është e vendosur shenja “STOP”.
Ky veprim vjen si reagim ndaj dy aksidenteve me tren që ndodhën javën e kaluar në këtë zonë, duke ngritur shqetësime për sigurinë rrugore në vendkalimet hekurudhore.
Sipas njoftimit të Policisë, ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Të gjithë kundërvajtësit që nuk respektojnë shenjat e vendosura do të ndëshkohen me gjoba, pa tolerim.
Vetëm gjatë orëve të paradites së sotme janë shqiptuar dhjetëra gjoba. Qëllimi kryesor i këtij aksioni është rritja e ndërgjegjësimit tek vozitësit për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut, veçanërisht në vendkalimet hekurudhore, ku shkeljet mund të rezultojnë fatale.
Policia apelon tek të gjithë qytetarët, e në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm gjatë drejtimit të mjeteve, me theks të veçantë në zonat ku rruga ndërpritet nga binarët e hekurudhës.