KOMUNA E KLINËS SHËNON DITËN NDËRKOMBËTARE TË TOKËS ME AKTIVITETE KONKRETE MJEDISORE

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në shoqëri të drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, z. Qendrim Millaku, drejtorit të Inspektoratit, z. Fauk Smajli, si dhe përfaqësuesit të KRMU “Ambienti”, z. Idriz Beqiri, ka marrë pjesë në disa aktivitete të organizuara për të kontribuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në territorin e komunës.

Në fjalën e tij, kryetari Elezaj theksoi rëndësinë e kësaj dite për gjithë njerëzimin, duke vënë në pah nevojën për ndërgjegjësim dhe veprim konkret në ruajtjen e natyrës.

“Sot shënojmë një ditë me rëndësi të veçantë për gjithë njerëzimin – Ditën Ndërkombëtare të Tokës. Kjo ditë na kujton, jo vetëm bukurinë dhe pasurinë natyrore që na rrethon, por edhe përgjegjësinë që ka secili prej nesh për ta mbrojtur dhe ruajtur atë për brezat që do të vijnë. Ne jemi të përkushtuar, që së bashku të vazhdojmë rrugën drejt një Kline më të pastër, më të gjelbër dhe më të shëndetshme,” u shpreh kryetari Elezaj.

Në kuadër të aktiviteteve të kësaj dite, janë ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së mjedisit në disa pika të rëndësishme të komunës. Konkretisht, është bërë pastrimi dhe eliminimi i deponive të mbeturinave inerte pranë lumit “Drini i Bardhë”, në afërsi të shkollës së mesme profesionale “Fehmi Agani”, si dhe në fshatin Volljak, zona këto që prej vitesh kanë qenë burim shqetësimi për qytetarët dhe rrezik për ambientin.

Po ashtu, në kuadër të këtyre aktiviteteve, janë mbjellë fidanë në parkun e qytetit “Ilir Merturi”, me qëllim gjelbërimin e hapësirave publike dhe promovimin e një mjedis më të shëndetshëm.
“Përmes këtyre veprimeve simbolike, por me ndikim të madh, ne jo vetëm që kontribuojmë për një mjedis më të pastër, por edhe nxisim vetëdijen qytetare për rëndësinë e ruajtjes së natyrës”, theksoi në fund të fjalës së tij kryetari Elezaj.

Gëzuar Ditën e Tokës!