Nga Austria në Kosovë, Vjollca sjell revolucionin e sigurisë ushqimore

Nga Klina në Austri, me një vizion të qartë për Kosovën, Vjollca Toplanaj Berisha – eksperte e ekonomisë dhe sipërmarrëse në sektorin e gastronomisë po sjell një iniciativë me rëndësi për vendin trajnime profesionale dhe konsulencë për bizneset ushqimore, me fokus në sigurinë ushqimore dhe zbatimin e sistemit HACCP.

E diplomuar në studimet Master në Shkenca Ekonomike në Kosovë dhe aktualisht doktorante në Austri, Vjollca është e vendosur të krijojë një platformë të qëndrueshme trajnimi për bizneset, duke i ndihmuar ato të përputhen me standardet evropiane të sigurisë.

Ajo thekson se përvoja e saj profesionale jashtë vendit e ka bindur për rëndësinë jetike të trajnimeve të vazhdueshme në sektorin ushqimor. “Në Kosovë mungon kultura e trajnimit profesional të stafit në këtë fushë, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e produkteve që konsumojmë çdo ditë,” – thotë ajo në një intervistë për IndeksOnline.

Përveç karrierës akademike, ajo menaxhon me sukses edhe biznesin e saj në Austri dhe është e certifikuar për sistemin HACCP – standard ky që garanton kontrollin e sigurisë ushqimore në çdo fazë të prodhimit.

“Kam një kombinim të fuqishëm të dijes akademike dhe përvojës praktike. I njoh sfidat në Kosovë, por kam përvetësuar standardet dhe modelet e suksesshme në Austri. Dua t’i sjell këto përvoja në shërbim të vendit tim,” – shprehet ajo.

Vjollca dërgon edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionet dhe bizneset në Kosovë.

“Është koha të investojmë në edukim, profesionalizëm dhe siguri ushqimore. Pa këto, nuk mund të ndërtojmë një sektor të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.”

“Në Kosovë duhet të bëhet detyrim ligjor që çdo biznes në sektorin ushqimor jo vetëm të ketë dokumentacion formal, por edhe të zbatojë realisht standardet e sigurisë ushqimore.”, shton ajo.

“Jam e gatshme dhe e hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe bizneset që ndajnë të njëjtin vizion për përmirësimin e sigurisë ushqimore në Kosovë. Interesi im për bashkëpunim është i sinqertë dhe serioz. I bëj thirrje institucioneve përkatëse që të ndërmarrin hapa të qarta dhe të japin maksimumin. Jo më vetëm letra, por përgjegjësi dhe kontroll real në terren!”, shtoi në fund ajo./IndeksOnline/