Sot, në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta, u përkujtua veprimtari i çështjes kombëtare, Dulaman Gashi nga fshati Sferkë i Komunës së Klinës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, vlerësoi kontributin e çmuar të Gashit, duke theksuar se ai ka qenë një atdhetar i devotshëm dhe mësimdhënës i përkushtuar.
“Dulamani ka qenë atdhetar që në vazhdimësi është angazhuar për të mirën e përgjithshme dhe ka dhënë kontribut të çmuar në sektorin e arsimit. Ai ka qenë anëtar i Kuvendit të Komunës së Klinës e për shumë vite mësimdhënës dhe drejtor i suksesshëm i shkollës fillore ‘Emin Duraku’ në Sferkë,” ka shkruar Elezaj.
Gjatë jetës së tij, Dulaman Gashi ka lënë gjurmë të thella si edukator, drejtues arsimor dhe zë i çështjes kombëtare, duke u bërë shembull i përkushtimit dhe dashurisë për vendin.
“Do ta kujtojmë çdo herë si një atdhetar e mësimdhënës të përkushtuar dhe një njeri të dashur nga të gjithë,” përfundon mesazhi i kryetarit Elezaj.