Kanë kaluar 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Refki Sokol Salihaj, por kujtimi për të vazhdon të jetojë në zemrat e popullit dhe në historinë e lavdishme të Kosovës.
Në këtë përvjetor, kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, ka ndarë një mesazh prekës përmes një postimi në Facebook, duke nderuar figurën dhe sakrificën e Refkiut.
Ky është postimi i plotë i Bashotës:
Kanë kaluar 26 pranvera që kur zemra e Refki Sokol Salihajt pushoi së rrahuri, por emri dhe rënia e tij e lavdishme nuk kanë pushuar kurrë së jetuari në zemrat tona, në faqet e historisë së kombit.
Refkiu, biri i familjes Salihaj nga Zabergja e Klinës – familje që i dha Kosovës dy dëshmorë – ishte i ri, me sytë plot dritë e shpirtin plot zjarr. E kishte ëndërr lirinë dhe nuk u ndal derisa ajo ëndërr u bë realitet – për ne të tjerët.
Ai nuk pati kohë ta shijonte atë për të cilën u flijua, por në këtë tokë të lirë, gjaku i tij është bërë themel.
Familja Salihaj është flamur i nderit, simbol i qëndresës dhe shembull i sakrificës së vërtetë.
Pusho në paqe, vëlla i lirisë.
Lavdi e përjetshme emrit tënd, Refki!