Kryetari i Kuvendit në detyrë, Glauk Konjufca sot do të mbajë një takim të përbashkët me partitë politike ku do të diskutohet për seancën konstitutive të Kuvendit.
Ky takim do të mbahet në orën 12:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Ndonëse ishte paraparë që takimi të mbahet me kryetarët e partive, të njëjtit nuk do të jenë prezent.
Kështu kanë konfirmuar zëdhënësit e partive.
Në takim do të jetë vetë një pikë në rendin e ditës: “Përgatitjet për Seancën konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani.
Duke kërkuar formimin e qeverisë “sa më parë që të jetë e mundur”, presidentja konsideron se deri më 15 prill “ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme”.
Ajo ka uruar që “ai proces të shkojë sa më mirë që është e mundshme dhe që konstituimi të kryhet po me atë datë”.
Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.
LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë).
Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).
Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.