Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur indinjatën dhe revoltën e saj ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit Hashim Thaçi për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij.
Sipas OVL të UÇK-së, ky vendim përbën një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut dhe bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.
“Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore,” thuhet në reagimin e organizatës.
Veteranët e UÇK-së e konsiderojnë këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, duke e lidhur me mungesën e provave për dënimin e drejtuesve të UÇK-së.
Organizata ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të të drejtave të njeriut, si dhe faktorit politik në Kosovë dhe Shqipëri që të reagojnë ndaj këtij vendimi, duke kërkuar që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
“OVL e UÇK-së nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtarëve tanë nga Gjykata Speciale,” përfundon reagimi.