Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj refuzimit të Dhomave të Specializuara për të lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Në një postim në Facebook, Krasniqi e cilësoi këtë vendim si diskriminues dhe çnjerëzor, duke theksuar se drejtësia e vërtetë nuk mund të funksionojë pa ndjeshmëri dhe respekt për të drejtat themelore.
“Ka dhembje që nuk maten me ligje. Humbja e një prindi është një nga ato momente ku njeriu duhet të jetë i mbrojtur nga sistemi, jo viktimë e tij,” ka shkruar ai.
Sipas kryetarit të PDK-së, ky vendim nuk ka të bëjë me drejtësi, por me arbitraritet dhe përjashtim të qëllimshëm.
“Nuk është ligj, por arbitraritet. Nuk është siguri, por çnjerëzi. Një Gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një Gjykatë që ka humbur rrugën e saj,” ka shtuar Krasniqi, duke paralajmëruar se historia nuk do ta harrojë këtë padrejtësi.
Ai e ka quajtur vendimin e Dhomave të Specializuara të padrejtë dhe të papranueshëm, duke shprehur solidaritet me ish-presidentin Thaçi dhe familjen e tij në këtë moment të vështirë.