Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Në një postim në Facebook, Haxhiu e cilësoi këtë vendim si absurd dhe në kundërshtim me të drejtat elementare njerëzore.
“Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës,” ka shkruar ajo.
Ministrja Haxhiu gjithashtu njoftoi se do t’i drejtohet me një letër kryetares së Dhomave të Specializuara për këtë çështje, duke kërkuar sqarime dhe reagim ndaj këtij vendimi.