Kryetari i Shoqatës së Personave të Zhdukur në Komunën e Klinës, Zeqir Morina, ka bërë të ditur për Klina.info se janë identifikuar shtatë persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Gjatë një takimi në zyrat e komunës, ku morën pjesë edhe familjarët e të zhdukurve, Morina deklaroi:
“Ne sot si shoqatë e personave të zhdukur në Komunën e Klinës kemi pasur takim në zyrat e komunës. Njoftimin që na dhanë sot sektori për marrëdhënie me familjarë, të ftuar ishin edhe familjarët e personave të zhdukur sepse na erdhi informacioni, na erdhën edhe emrat për personat e pagjetur, personat e zhdukur në Komunën e Klinës, të cilët më herët janë gjetur në Bizhtazinë të Gjakovës por tani është bërë ekspertiza.”
Ai shtoi se mbetjet janë gjetur pjesërisht dhe informacioni është komunikuar drejtpërdrejt familjarëve.
“Janë gjetur jo komplet por pjesërisht, informacionin ua kanë dhënë drejtpërdrejt familjeve të të zhdukurve.”
Morina theksoi se ky është një moment i vështirë për familjarët, por edhe një hap drejt vendosjes së eshtrave në një vend të caktuar në komunën e Klinës.
“Është një datë e sotme bukur e vështirë për familjarët sepse për herë të parë morën informacion për të afërmit e tyre, për njerëzit që deri më tani nuk e kanë ditur por tani e dinë se një ditë do t’i vendosin në një vend të caktuar këtu në komunën e Klinës.”
Në bashkëpunim me komunën, Shoqata planifikon të organizojë një akademi përkujtimore në Ditën e të Zhdukurve në Klinë, ku do të bëhet edhe përcjellja e eshtrave të identifikuara.
“Ne si shoqatë, por edhe komuna e Klinës bashkërisht do ta bëjmë një akademi përkujtimore, është caktuar data në Ditën e të Zhdukurve në komunën e Klinës, po atë ditë do të bëhet edhe kujtimi por edhe përcjellja e këtyre 7 të pagjeturve që tani eshtrat e tyre u gjetën. Do t’i përcjellim në mënyrën më dinjitoze, më të mirë.”
Akademia do të mbahet më datën 4 prill, transmeton Klina.info.
Pavarësisht dhimbjes, Morina vuri në dukje krenarinë e familjarëve për sakrificën e të dashurve të tyre.
“Për familjarët është diçka e dhimbshme, por i mban edhe krenaria sepse pa gjakun e tyre ne nuk do ta kishim lirinë.”
Ndryshe në komunën e Klinës janë edhe 70 persona tjerë të zhdukur./Klina info/