Komuna e Klinës me ueb faqe të re zyrtare

Komuna e Klinës ka prezantuar ueb faqen e saj të re zyrtare, e cila tashmë është funksionale dhe do të shërbejë si platforma kryesore për informimin e qytetarëve.

Faqja është krijuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), kompaninë e kontraktuar dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve për Komunikim me Publikun dhe IT-të e Komunave, si dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK).

Përmes kësaj ueb faqeje, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit mund të gjejnë informacione të rëndësishme, përfshirë njoftime, konkurse, publikime dhe aktivitetet e Komunës së Klinës. Adresa e faqes së re është: https://kline.rks-gov.net/.

Nga tani e tutje, të gjitha informacionet zyrtare do të publikohen vetëm në këtë platformë, ndërsa ueb faqja e vjetër do të mbetet në përdorim të brendshëm.