Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta.
Por kur pritet të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare?
Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ky nen parasheh mundësinë që në PZAP në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas rezultateve të fundit të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9% apo 345,760 vota, e ndjekur nga PDK me 22.04% apo 186,302 vota, LDK 17.64% apo 149,095 vota, koalicionni AAK-Nisma Socialdemokrate 7.46% apo 63,035 vota.
Këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta./Indeksonline/