Tensionimi i bisedës mes Donald Trump e Volodymyr Zelensky-t para kamerave në Shtëpinë e Bardhë ka tronditur Gjermaninë. Kërkohet shpejtësi në formimin e qeverisë.
Politika gjermane reagoi e tronditur pas skandalit në Shtëpinë e Bardhë e dështimit të bisedimeve mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zhvillimet aktuale transatlantike pikërisht në periudhën e tranzicionit të qeverisë pas zgjedhjeve federale e vendosin politikën gjermane nën presion të shtuar. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (Të Gjelbrit) bëri thirrje për veprim të shpejtë evropian dhe kombëtar në Berlin. “Ne nuk mund të presim derisa të formohet një qeveri e re federale, sepse situata është serioze.
Gjermania të krijojë shpejt qeverinë e re
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shpreh në mënyrë të pazakontë kritik ndaj presidentit amerikan, Donald Trump pas skandalit gjatë vizitës së kreut të shtetit ukrainas Volodymyr Zelensky. në Uashington. “Diplomacia dështon kur partnerët negociues poshtërohen para syve të botës,” tha Steinmeier gjatë një fluturimi për në Uruguai për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa. Ai bëri thirrje që Gjermania të formojë shpejt një qeveri të re. “Ajo skenë dje në Shtëpinë e Bardhë më la pa fjalë. Kurrë nuk do të kisha besuar se një herë do ta mbronim Ukrainën nga SHBA”, tha Steinmeier.
Thirrje brutale zgjimi për Evropën nga Zyra Ovale
Kurse kreu i partisë E Majta, Jan van Aken, kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit. “Tani kemi vërtet një situatë të re botërore. (Presidenti i SHBA) Donald Trump ka bërë të qartë, se e drejta ndërkombëtare nuk zbatohet, vetëm ligji i më të fortit. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se bota ka nevojë për një përgjigje të përbashkët”, tha van Aken për ARD.
Edhe ish-kryetari i Konferencës së Sigurisë të Mynihut, Christoph Heusgen foli për një fuqizim të shpejtë të Evropës. “Nëse thirrja brutale e zgjimit nga Zyra Ovale mbrëmjen e së premtes nuk është e mjaftueshme që ne më në fund të investojmë masivisht në forcimin e mbrojtjes evropiane, ekonomisë evropiane dhe modelit të sukesshëm liberal evropian, demokratik dhe ligjor atëherë nuk e di se çfarë do të duhet të ndodhë më shumë”, tha Heusgen për “Rheinische Post”./DW