“53 milionëshi” Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

Është kthyer në rigjykim rasti ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit nga Gjykata e Apelit, pasi që të njëjtit ishin dënuar nga Themelorja me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku), për rastin e njohur si 53-milionëshi.

Lekaj, Berisha, Shatri dhe Tahiri janë dënuar se në bashkëkryeje kanë kryer veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në atë kohë, Pal Lekaj, ishte në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI,

“APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj avokat Artan Qerkini, Nebih Shatri avokat Florent Latifaj, Eset Berisha avokat Afrim Salihu, Besim Tahiri avokat Urim Vokshi, dhe ankesa e vet të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special PS.nr4./2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje.” – thuhet mes të tjerash në vendimin e Apelit, raporton Betimi për Drejtësi.

Tutje sipas Apelit, ankesa e Prokurorisë Speciale është e paobjekt.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 31 janar 2024, kishte dënuar Pal Lekaj me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.