Dëshmori Qamil Hoti nga Jashanica u dekorua post-mortum nga Presidentja e Republikës së Kosovës me “Urdhrin Hero i Kosovës”, për sakrificën dhe trimërinë e treguar në rrugën drejt lirisë së vendit.
Lajmin e emocionueshëm e bëri të ditur djali i tij, Leotrim Hoti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi:
“Dëshmorët nuk kanë të domosdoshme mirënjohjen nga të gjallët e vdekshëm, sepse ata janë të pavdekshëm dhe heronj, edhe në rastet kur ne nuk i shpallim të tillë. Lavdi dëshmorëve të lirisë! Lavdi heronjve tanë!”
Ai theksoi se dëshmorët dhe veteranët janë themeli dhe përjetësia e shtetit të Kosovës dhe nuk i përkasin asnjë partie politike.
Ky dekorim është një kujtesë e sakrificës së madhe të Qamil Hotit dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Lavdi dëshmorëve të lirisë!