Nis takimi SHBA – Rusi në Arabinë Saudite

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të martën takimin e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.

Pala amerikane ka thënë se takimi i sotëm nuk ka të bëjë me nisje të negociatave, mirëpo për të parë nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë, raporton REL.

Pala ruse, në anën tjetër, ka thënë se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.

Pala amerikane përbëhet prej Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Lindje të Mesme, Steve Wikoff.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe Yury Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus, Vladimir Putin, përfaqësojnë Rusinë.

Takimi i 18 shkurtit në Riad zhvillohet pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.

“Ky mëtohet të jetë hapi i parë në procesin e gjatë të negociatave, mirëpo gjërat po lëvizin shpejt”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-diplomat britanik që aktualisht është hulumtues i lartë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Ekziston një rrjedhshmëri që do të vazhdojë të avancohet në këto kohë paqartësish”.