FAZ: Grenelli po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, e emëroi Richard Grenellin si emisarin e tij për misione të posaçme, ai deklaroi se do të punonte “në disa prej pikave më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”. Në interpretimin e emisarit të Trumpit, Kosova është po ashtu një pikë e tillë, sepse para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Grenelli ka ndërhyrë drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore në Kosovë, ka shkruar të enjten gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ).

href='https://www.facebook.com/profile.php?id=61568261806507&mibextid=ZbWKwL'>

Grenelli e nisi një mesazh në platformën X më 3 shkurt ku njoftoi se administrata Trump do të përfshihej në Ballkan. E, për ta bërë këtë, ai shkroi se Washingtonit i duhet “partnerë të besueshëm”, e se qeveria e Albin Kurtit dhe partia e tij nuk ishin të tillë. “Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, e as gjatë mandatit të Bidenit”.

“Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenelli në X.

Grenelli në janar e kishte kritikuar Kurtin se i kishte çuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA në “pikë të ulët”. E pak para zgjedhjeve ai ka thënë: “Kurti gjithmonë ka kundërshtuar çdo ide amerikane”.

Ndërsa Kurti ka thënë gjatë fushatës zgjedhore se ka pasur marrëdhënie të mira me SHBA-në, Grenelli e ka quajtur këtë gënjeshtër.

“Mos u mashtroni”, shkroi Grenelli në fund të postimit të tij.

Sipas FAZ-it, Grenelli po e dëshiron Kurtin të jetë në opozitë pas zgjedhjeve, pasi do një kryeministër që bindet.