Sot mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, do të mbahet sot.

Kjo seancë e cila ishte paraparë të mbahej më 27 janar dështoi pasi dy avokatët e të akuzuarve, thanë se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe e kanë të pamundur që të vazhdojnë me këtë seancë.

Avokati Ndrec Doda, avokati i Kushtrim Kokallës, si dhe avokati Agron Kuçi i të akuzuarit Tom Dodaj, deklaruan se nuk kishin pranuar të gjitha shkresat e lëndës, dhe se nuk kishin si t’i shpjegonin klientëve çështjen e provave.

Kryetarja e trupit gjykues Fatime Dermaku e shtyu seancën për ditëne sotme më 31 janar ora 11:00.

Sipas aktakuzës Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 nëntor të vitit 2023. Granit Plava akuzohet si doras, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale.

30 vjeçarja Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Ky rast ishte i inskenuar si grabitje e armatosur.

Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava.