VV në Klinë fton qytetarët të mos bien pre e provokimeve duke dënuar kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes

Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Klinë ka reaguar përmes një komunikate të cilën e ka publikuar në rrjetin social FB.

Në këtë shkrim, kjo degë dënon format kërcënuese dhe gjuhën e urrejtjes ndaj aktiviteteve politike në shoqërinë dhe në vendin tonë, ku sipas tyre thuhet se nuk kanë hapësirë dhe nuk do të tolerohen.
“Republika e Kosovës, qyteti i Klinës, janë vende të lira të cilat garantojnë të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve të saj.

Vendi ynë shquhet për mikpritje dhe jo për kërcënime qyqare e tinëzare politike.
Në këtë drejtim publikimet e fundit kundër tubimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në Klinë, theksojmë se janë akte të papranueshme. Ne kemi raportuar menjëherë organet kompetente dhe me rastin është duke u marrë Policia e Kosovës.

Ne dënojmë fuqishëm çdo tentativë për frikësim apo nxitje të tensioneve, të cilat bien ndesh me vlerat demokratike dhe me respektin për lirinë e shprehjes dhe të tubimeve. Republika e Kosovës, Klina jonë, është vend që shquhet për demokraci e siguri, për ngrohtësi e mikpritje.

Ftojmë qytetarët të mos bien pre e provokimeve. Me të tillë keqbërës që nuk ia duan të mirën as shtetit dhe as komunës tonë do të merren organet e rendit.”, thuhet në komunikatë.