Sot janë bërë 26 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Skender Rexhepi i njohur si Komandant “Hekuri”.
Zenun Elezaj kryetari i Klinës, njëherit kandidat për deputet në listën e AAK-së, përmes një statusi në FB e ka kujtuar Komandant Hekurin, derisa ka thënë se ai u flijua për lirinë e Kosovës e për lirinë që ne sot e gëzojmë.
Ky është postimi i Elezajt:
21 janari i vitit 1999 ishte ditë e rëndë për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atë ditë ata humbën një nga bashkëluftëtarët e tyre më të mirë, Skender Rexhepin- komandant “Hekurin”, i rënë në fushën e nderit duke luftuar kundër armikut më 21 janar të vitit 1999 në Fortesë(ish Bellacerrkë). Rënia e “Hekurit” ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e për bashkëluftëtarët e tij ishte një goditje e madhe.
Skenderi rrjedh nga një familje atdhetare, ku ai u edukua në frymën patriotike. Si rrjedhojë, qysh në moshë të re u angazhua në aktivitete kombëtare për çka edhe u arrestua nga regjimi serb. Megjithatë asgjë nuk e ndali dëshirën e tij për liri, asgjë nuk ia humbi trimërinë e gatishmërinë e tij për të luftuar për lirinë e atdheut.
Ai u flijuar për lirinë e Kosovës e për lirinë që ne sot e gëzojmë.
Lavdi jetës dhe veprës së heroit Skender Rexhepit!