Besim Mulaj, kandidat për deputet nga LDK-ja, ka shprehur emocionet dhe entuziazmin e tij pas një takimi madhështor të mbajtur në Istog, ku u prit kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, z. Lumir Abdixhiku.
Në një status në rrjetet sociale, Mulaj theksoi:
“Sot, në një ambient madhështor dhe plot energji pozitive, Istogu mirëpriti kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku. Ky takim është një dëshmi e qartë e shpirtit rugovist dhe mbështetjes së fuqishme që qytetarët e Istogut i japin LDK-së.
Me një fjalim mbresëlënës dhe frymëzues, kryetari i komunës, z. Ilir Ferati, elektrizoi masën duke theksuar rëndësinë e bashkimit rreth vizionit për një Kosovë më të mirë. Në vijim, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, deklaroi:
‘Sot jam në mesin e elektoratit të Ibrahim Rugovës, të cilët i kanë dhënë besën vizionit tonë për një të ardhme më të ndritur për Kosovën.’”
Mulaj vlerësoi këtë ngjarje si një dëshmi të përkushtimit dhe mbështetjes së madhe që qytetarët e Istogut kanë për vlerat rugoviste dhe për vizionin e qartë të LDK-së për të ardhmen. Ai theksoi se me unitet dhe vendosmëri, do të ndërtohet një Kosovë krenare dhe e suksesshme.
Në përfundim të postimit, Mulaj shkroi:
“Fitorja është afër! Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë rugovistët!”
Statusi i tij përfundon me thirrjet për mbështetje ndaj LDK-së në zgjedhjet e ardhshme më 9 shkurt, duke përmendur fjalë kyçe si #LDK, #FrymaRugoviste dhe #Lumir2025.