Hajdin MORINA TË JESH PREJ REÇAKUT

Të jesh prej Reçakut
ose vetë të jesh Reçak,
ndryshe ta shtrëngon shpirtin heshtja,
dhimbja e liria më 15 janar.

Ndryshe të mërdhin
e ndryshe brenda teje digjet
dita e pushkatuar e 15 janarit,
nëse je fëmijë, motër ose nënë e Reçakut.

Nëse ia pe sytë 15 janarit
pak para se të pushkatohej nga barbarët përmbi kodër.

VRASJA E ZOGJVE
Siç m’i arnonte nëna në fëmijëri
Pantallonat e shqyer në gjunjë
Kur rrëzohesha nëpër gurë
Ashtu i arnova kur u ktheva nga lufta
Degët e pemëve të vrara e të përgjakura

Siç ma arnonte nëna këmishën në krah
Degët e pemëve të plagosura i arnova
I arnova të shtrenjtat pemë
Të vrara e të përgjakura nga policët serbë

I arnova pemët e plagosura të mos kishte dhimbje asnjëra
Të mbuloheshin me zogj degët në pranverë
I arnova të shtrenjtat pemë,
Vrarë, plagosur e përgjakur nga policët serbë në vitin 1998.

(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)