Vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve e sulmeve seksuale. Jo rrallëherë ka pasur raste kur janë shantazhuar e kërcënuar që të veprojnë kundër vullnetit të tyre. Për një rast të ngjashëm që dyshohet se ndodhi në Mitrovicë, Policia ka arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.
Një 37-vjeçar po dyshohet për kërcënimin e një 31-vjeçare, të cilës i ka kërkuar marrëdhënie seksuale, pasi nuk kishte arritur ta shlyejë borxhin që kishte.
Sinjali ka mësuar se personi që po dyshohet për këtë rast është Ardian Meholli, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë.
Meholli po dyshohet se në fund të dhjetorit i kishte kërkuar ish të dashurës së tij të kryenin marrëdhënie, pasi ajo s’kishte arritur t’ia kthejë paratë që i kishte borxh.
Denoncimi i rastit ka aktivizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.
Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.