Kryetari i komunës së Klinës dhe kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Zenun Elezaj, ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit në fshatin Qeskovë.
Në një takim të ngrohtë në odën e Abedin Morinës, Elezaj theksoi rëndësinë historike të këtij fshati si një nga bastionet kryesore të AAK-së që nga themelimi i partisë, shkruan Klina.info.
“Qeskova ka qenë gjithmonë përkrahëse e Aleancës dhe e komandantit Ramush Haradinaj që nga vitet e 1990-ta, kur burrat e këtij vendi bënë aleancë për lirinë e Kosovës. Sot, po ashtu, Qeskova do të dalë fuqishëm në mbështetje të Aleancës për të vazhduar rrugën e zhvillimit dhe mirëqenies për qytetarët,” tha Elezaj.
Elezaj nënvizoi nevojën që AAK të dalë partia e parë në Klinë për të siguruar rritjen e investimeve nga buxheti i Qeverisë, duke theksuar se fondet e alokuara për komunën në katër vitet e fundit kanë qenë të pamjaftueshme.
“Është jetike të kemi përfaqësim të fortë në parlament që Klinës t’i rikthehen investimet e merituara dhe të krijojmë mundësi më të mira për qytetarët tanë,” deklaroi ai, duke ftuar qytetarët të mbështesin kandidatët e Aleancës në këto zgjedhje.