Mefail Bajqinovci thirrje LDK-së: Shtyrja e afatit për votim nga diaspora, shenjë respekti për mërgatën tonë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka bërë thirrje publike ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që të përkrahë shtyrjen e afatit për regjistrimin e votuesve nga diaspora.

Në një deklaratë të tij, ai theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke e cilësuar si një hap thelbësor për t’i dhënë zë dhe mundësi mërgatës sonë për të kontribuar në të ardhmen e vendit përmes votës, transmeton Klina.info.

Bajqinovci nënvizoi se kjo nuk është thjesht një çështje teknike, por një gjest respekti për bashkatdhetarët që kurrë nuk i kanë kthyer shpinën Kosovës, duke ndihmuar financiarisht dhe emocionalisht në kohët më të vështira.

“Çdo bashkatdhetar meriton të jetë pjesë e këtij procesi demokratik. Shtyrja e afatit është një shenjë mirënjohjeje dhe përkushtimi ndaj tyre,” tha ai, duke ftuar të gjitha partitë politike që të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj mërgatës.

Me fjalët e tij, deputeti i Vetëvendosjes ka ngritur një çështje që rezonon jo vetëm me diasporën, por edhe me qytetarët brenda vendit, duke shpresuar për një mbështetje të gjerë që do të mundësojë një proces demokratik gjithëpërfshirës dhe të drejtë.