Ministri Liburn Aliu dhe Zenun Elezaj nënshkruajtën momorandum bashkëpunini për një projekt të rëndësishëm

Komuna e Klinës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë formalizuar bashkëpunimin për projektin e rëndësishëm “Banimi Social Adekuat”.

Kryetari i Klinës, prof.dr Zenun Elezaj, dhe ministri Liburn Aliu nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e këtij projekti që synon të përmirësojë cilësinë e jetesës për qytetarët më në nevojë, shkruan Klina.info.

Projekti ka për qëllim krijimin e kushteve të përshtatshme të banimit për individët dhe familjet që nuk kanë zgjidhur çështjen e strehimit ose për ata që jetojnë në kushte jo të përshtatshme. Prioritetet e Komunës së Klinës përfshijnë:

• Ndërtimin e njësive banesore të reja për banim social, dhe
• Rindërtimin apo renovimin e shtëpive private për familjet e cenueshme.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për të adresuar nevojat e qytetarëve tanë dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës. Si komunë, do të përmbushim të gjitha kërkesat dhe obligimet tona për të qenë ndër përfituesit kryesorë të këtij projekti,” deklaroi kryetari Elezaj.

Me realizimin e këtij projekti, Klinë synon të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për strehimin social dhe të përmbushë nevojat e komuniteteve më të prekura në rajon. Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.