Një 23 vjeçar është arrestuar në Ferizaj nën dyshimet se ka shkaktuar 19 aksidente të qëllimshme vetëm për të përfituar nga sigurimet e veturave, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta Sinjali, i dyshuari është: Granit Bunjaku.
Ai është arrestuar pasi tek rrethrrotullimi që të dërgon në rrugën “Rexhep Bislimi”, në Ferizaj, ka shkaktuar aksident komunikacioni dhe ka raportuar se janë lënduar edhe dy bashkudhëtarët e tij.
Pas këtij rasti hetuesitë rajonalë nën autorizim të Prokurorit të Shtetit i kanë zgjeruar hetimet dhe në bazë të shikimit të kamerave të sigurisë në vendin e aksidentit të raportuar, dyshohet se qëllimisht Bunjaku e rritë shpejtësinë e veturës, duke e goditur një veturë tjetër.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia, e cila ka njoftuar se i dyshuari në të gjitha rastet kishte përdorur veturat, të cilat i kishte marrë me qira
“Gjatë zhvillimit të hetimeve, hetuesit rajonal kanë siguruar të dhënat shtesë se i dyshuari G.B në periudha të ndryshme ishte përfshirë në 19 aksidente të komunikacionit rrugor, 10 prej tyre në rreth rrotullime dhe kryesisht si viktimë (i lënduar) i rasteve, ndërsa edhe dy persona tjerë (pasagjerë), në disa raste të këtyre aksidenteve dyshohet se kishin inskenuar rastet se janë lënduar. I dyshuari në të gjitha rastet kishte përdorur veturat, të cilat i kishte marrë me qira”, thuhet në njoftim
Ndërkaq, i dyshuari në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesitë rajonalë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.