Bajqinovci: PDK dhe LDK po përpiqen të ndalojnë kandidimin tonë përmes Gjykatës Kushtetuese

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për përpjekje për të manipuluar sistemin e drejtësisë, transmeton Klina.info.

Në një deklaratë publike, ai ka theksuar se këto subjekte politike kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjet më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët, ndërsa tani synojnë të sfidojnë edhe kandidimin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes përmes të njëjtit institucion.

“PDK dhe LDK nuk po gjejnë mënyrë tjetër përballë mbështetjes së madhe që LVV gëzon te qytetarët, përveçse përpiqen të ndalojnë kandidimin tonë për deputetë përmes Gjykatës Kushtetuese,” tha Bajqinovci.

Ai e quajti këtë një përpjekje për të penguar vullnetin demokratik dhe për të manipuluar procesin zgjedhor, duke theksuar se kjo tregon frikën e tyre për një përballje të ndershme në zgjedhje.

“Qytetarët janë të vetëdijshëm. Ata e dinë kush ka punuar për të ndërtuar shtetin dhe kush e ka shkatërruar atë për vite me radhë,” shtoi ai.

Në fund, Bajqinovci theksoi përkushtimin e Vetëvendosjes për drejtësi dhe demokraci, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave për përfaqësim të çdo qytetari.