Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshjeje historike me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), duke hedhur hapin e parë drejt krijimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë. Sipas kontratës, MKE do të vërë në funksion fabrikën e parë të municioneve në vend, e cila do të prodhojë municione të kalibrave të ndryshëm sipas standardeve të NATO-s.
Kontrata përfshin jo vetëm makineritë e avancuara prodhuese, por edhe trajnimin e stafit, mirëmbajtjen, dhe pajisjen me sisteme të testimit të cilësisë dhe kalibrimit. Me fillimin e prodhimit, fabrika do të operojë si ndërmarrje publike dhe markë 100% vendore, duke fuqizuar kapacitetet e Kosovës në sektorin e mbrojtjes.
Ky bashkëpunim strategjik shënon një hap të madh për sovranitetin dhe zhvillimin teknologjik të vendit, duke forcuar njëherazi edhe marrëdhëniet me partnerin strategjik, Turqinë.