“Në një ditë dhe orë të dakorduar”, Kurti i fton prokurorët që ta intervistojnë në zyrën e tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale, për t’iu përgjigjur ftesës që i shkoi për të dëshmuar sot në orën 9:30 lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Lidhur me mosparaqitjen e tij është deklaruar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale ka qenë e njoftuar.

Kryeziu ka thënë se kryeministri ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në “një ditë dhe orë të dakorduar”.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka thënë Kryeziu.

Kjo ftesë i shkoi Kurtit disa muaj pas intervistimit të Ridvan Muharremit dhe Rozeta Hajdarit në cilësi të të dyshuarve për çështjen e rezervave shtetërore.

Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.

Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.

Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.

Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.

Opozita kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, por ajo mohoi se ka arsye për një gjë të tillë.

/GazetaSinjali/