Sot shënohet 26-vjetori i rënies heroike të Komandant Kapuçit, Mujë Krasniqit, dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.
Kandidati për deputet nga AAK, Lahi Brahimaj, ka kujtuar këtë moment historik me një mesazh të fuqishëm për sakrificën dhe trashëgiminë e tyre.
“Flijimi për liri nuk është thjesht një akt i së kaluarës, por një testament i gjallë që kalon brez pas brezi, duke u shndërruar në themelet e pathyeshme të shtetit tonë,” ka thënë Brahimaj, transmeton Klina.info.
Ai e cilësoi Mujë Krasniqin si simbol të guximit dhe përkushtimit.
“Një luftëtar i pamposhtur, dy herë i plagosur në betejë, një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së, i cili luftoi krah për krah me vëllain Aliun dhe shokun e tij të pandashëm Beqir Gashin. Përkushtimi i tij dhe i bashkëluftëtarëve të tij shkroi historinë tonë me gjak dhe sakrificë.”
Brahimaj kujtoi se vetëm 20 vite pas këtij akti sublim, Kosova themeloi Ushtrinë e saj – një arritje që buron nga ideali dhe gjaku i dëshmorëve.
“Liria që gëzojmë sot dhe ushtria që na bën krenarë janë dëshmi e sakrificës së tyre. Dëshmorët janë frymëzimi ynë i përditshëm, sepse nga gjaku i tyre lindi shteti ynë. Lavdi e përjetshme Mujë Krasniqit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë,” ka përfunduar Brahimaj.