Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Mefail Bajqinovci, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj opozitës, duke i quajtur “hajnat e ligës së parë” që, sipas tij, po bëjnë gjithçka për të penguar progresin dhe reformat që u shërbejnë qytetarëve.
Duke komentuar dërgimin e 16 ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, Bajqinovci e konsideroi këtë një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur gjallë ndikimin e humbur.
Ai vuri në dukje se ky veprim nuk është në interes të qytetarëve, por një tentativë për të ruajtur kontrollin përmes gjykatave.
“Kot e kanë! Nuk ka kthim mbrapa. Populli e ka bërë zgjedhjen e vet dhe është në anën e ndryshimit. Ata që për vite të tëra kanë përdorur pushtetin për të grabitur këtë vend, sot nuk kanë as forcë as legjitimitet të ndalojnë procesin e pandalshëm të progresit,” deklaroi ai.
Bajqinovci përmendi se përpjekjet për të bllokuar reformat janë dëshmi se ndryshimi ka prekur themelet e një sistemi të kalbur, por edhe se qytetarët nuk do të lejojnë kthim në të shkuarën.
“Ata që për vite bllokuan të ardhmen e këtij vendi, sot nuk mund ta ndalojnë fuqinë e popullit. Ndryshimi është i pashmangshëm dhe i pandalshëm!”, përfundoi ai me vendosmëri.