Cilat zona në Kosovë janë më të rrezikuara nga tërmetet?

Një tërmet me magnitudë 4.2 ka goditur pas mesnate Kosovën, duke u ndjerë më fuqishëm në rajonin e Prizrenit.

Shemsi Mustafa, drejtor i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës ka dhënë detaje mbi aktivitetin sizmik.

Mustafa bëri të ditur se tërmeti ishte pasuar po ashtu nga një pasgoditje në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 4:00, me magnitudë 3.0.

“Ky tërmet që ndodhi ka qenë goditja kryesore, pasgoditje të tërmetit kemi pasë edhe në orët e hershme të mëngjesit, në orën 4 me 3.0 shkallë”.

“Kosova gjendet në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, ku janë të mundshme tërmete me magnitudë deri në 6.5-7 shkallë të Rihterit”, tha ai, duke shtuar se zonat më të rrezikuara përfshijnë rajonin e Dukagjinit, nga Istogu në Prizren, si dhe Ferizajn, Vitinë, Gjilanin dhe veriun e Kosovës.