Lahi Brahimaj: Monumentet tona janë kujtesa e gjallë e sakrificës për liri

Kandidati i AAK-së për deputet, Lahi Brahimaj, ka theksuar rëndësinë e monumenteve kombëtare si kujtesë e gjallë e sakrificës për lirinë e Kosovës. Gjatë një takimi me drejtorin Imer Hakaj në Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Brahimaj diskutoi për mirëmbajtjen dhe përkujdesjen ndaj komplekseve memoriale të UÇK-së në mbarë vendin.

Pjesë e veçantë e bisedës ishte angazhimi për Kompleksin Memorial të dëshmorëve të brigadave 132 dhe 135, Myrtë dhe Agim Zeneli, si dhe një projekt unik që pritet të nisë në janar. Ky projekt synon shenjimin me gurë të veçantë të vendrënies së secilit Dëshmor të Kombit në fushëbeteja, duke rikthyer në vëmendje çdo sakrificë të bërë për lirinë.

“Monumentet tona janë më shumë se gurë e mermer – ato janë kujtesa e gjallë e sakrificës sublime për liri,” u shpreh Brahimaj, duke theksuar përkushtimin e përjetshëm ndaj këtyre vendeve të shenjta.

Ky angazhim i tij vjen si dëshmi e premtimit për t’u kujdesur për trashëgiminë kombëtare dhe për të nderuar ata që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë.